Foto: Ilri Peci/Facebook

Komuna e Zveçanit siguron transport për nxënësit

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka njoftuar se kanë siguruar transport për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët.

Në njoftim është thënë se Peci me bashkëpunëtorë po realizon projektet, të cilat janë kërkesa shumëvjeçare të qytetarëve të Zveçanit.

Po ashtu u njoftua se sot, më 02.05.2024, kryetari Peci pa nga afër transportimin e nxënësve dhe udhëtoi me fëmijët nga fshati Lipë deri në fshatin Zhazhë.

Ai tha se Komuna ka siguruar transportin e nxënësve nga fshatrat ku ata vijnë në zonat ku ndodhen shkollat dhe anasjelltas, sepse jo të gjithë nxënësit i kanë afër ambientet shkollore.

Po ashtu Peci shtoi se kjo kërkesë është e kamotshme sepse shumica e prindërve nuk kanë mundur të paguajnë mujoret e fëmijëve të tyre sepse janë me gjendje jo të mirë financiare.

Sipas njoftimit, projekti për transportin e nxënësve është projekt trevjeçar.